Shëndet

Smartphone-ët favorizojnë miopinë te fëmijët

Miopia po shfaqet gjithnjë e më shumë para kohe dhe shkon paralelisht me përdorimin më të madh të telefonave inteligjentë dhe tabletëve që në moshë të re.

Dyshimet e fundit se si shikimi i fëmijëve ndikohet negativisht nga pajisjet dixhitale, që u përdorën gjerësisht në pandemi, hiqen nga një analizë krahasuese e 33 studimeve, e botuar në revistën “Lancet Digital Health”.

“Miopia është në rritje në mbarë botën dhe gjysma e popullsisë globale do të vuajë prej saj deri në vitin 2050″, paralajmërojnë autorët e analizës.

“Ky trend po shoqërohet me një reduktim të moshës së shfaqjes së miopisë, një përshpejtim në shkallën e përparimit, që paralajmëron një rritje të barrës globale të miopisë së lartë dhe ndërlikimeve të saj në dekadat e ardhshme”, shtojnë ata.

Artikull me interes :   Çfarë i ndodh mëlçisë tuaj, kur pini më shumë se dy birra në ditë?

Ka të ngjarë që “epidemia e miopisë të nxitet nga ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut gjatë fëmijërisë, të pranishëm në shoqëritë gjithnjë e më të urbanizuara”, të tilla si “koha e pamjaftueshme e kaluar jashtë dhe shumë kohë e kushtuar aktiviteteve që kërkojnë një përqendrim të ngushtë”.

Madhësia e mostrës së studiuar ishte midis 155 dhe 19 934 personave, kurse mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 3-16 vjeç.

Koha e shikimit të pajisjes dixhitale u shoqërua ndjeshëm me një rrezik prej 30 për qind të zhvillimit të miopisë, që u rrit në 80 për qind, kur kompjuteri u përdor më shpesh.

“Fëmijët përdorin smartphone dhe tableta për periudha të gjata të pandërprera dhe në distanca më të shkurtra shikimi, sesa librat”, shpjegojnë studiuesit.

Artikull me interes :   Vitaminat e domosdoshme për lëkurë dhe flokë të shëndetshme

Këto rezultate janë edhe më të rëndësishme, sepse “ato vijnë pasi miliona fëmijë në të gjithë botën kanë kaluar shumicën e ditëve të tyre duke mësuar në distancë, për shkak të mbylljes së shkollave gjatë pandemisë”, komenton një nga autorët, Rupert Bourne, profesor i okulistikës në Universitetin Anglia Ruskin.

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare