Shëndet

Cilësia e ajrit në zyrë ndikon në përqendrimin e punonjësve

Një studim i ri nga shkencëtarët e Harvardit ka treguar se cilësia e ajrit në një zyrë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në aftësitë njohëse të punonjësve, përfshirë edhe përqendrimin.

“Ka shumë kërkime mbi ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit jashtë, por ne e kalojmë 90 për qind të kohës sonë brenda”, tha Jose Guillermo Cedeno Laurent, autori kryesor i studimit, i botuar në revistën shkencore “Environmental Research Letters”.

Ai dhe kolegët e tij ndoqën 302 punonjës zyre në gjashtë vende (Kinë, Indi, Meksikë, Tajlandë, SHBA dhe BM) gjatë një periudhe njëvjeçare.

Eksperimenti u ndal në mars 2020, për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë COVID-19.

Artikull me interes :   Sytë jo vetëm pasqyrë e shpirtit, por dhe e shëndetit

Të gjithë pjesëmarrësit ishin midis 18 dhe 65 vjeç, duke punuar të paktën tri ditë në një zyrë, ku ata kishin pozicionin e tyre të përhershëm.

Në zyra u vendosën ndjesorë për të matur përqendrimet e grimcave të imëta më të vogla se 2,5 mikrometra (PM2.5), si edhe dyoksidin e karbonit, temperaturën dhe lagështinë.

Pjesëmarrësit kryen teste njohëse në kohë të caktuara të paraprogramuara, si edhe kur nivelet e PM2.5 dhe dyoksidit të karbonit ranë nën ose tejkaluan kufijtë e caktuar.

Rezultatet e studimit treguan se një rritje në PM2.5 prej 10 mikrogramësh për metër kub çoi në një ulje me 1 për qind të kohës së përgjigjes në testet e bëra dhe më shumë se 1 për qind në saktësinë e përgjigjes.

Artikull me interes :   Çfarë ndodh me qafën nëse shikoni shumë celularin?

Për dyoksidin e karbonit, një rritje prej 500 ppm (një nivel ndryshimi që nuk është i pazakontë) çoi në një rënie me 1 për qind në kohën e përgjigjes dhe 2 për qind në saktësi, për testet e bëra.

Nëse studimet e mëparshme kanë treguar se ekspozimi i zgjatur ndaj grimcave të imëta mund të ndikojë në sistemin nervor dhe të shkaktojë sëmundje neurodegjenerative, ky hulumtim është i pari që tregon një efekt afatshkurtër, sipas studiuesit.

Zgjidhja? Hapni dritaret, ose instaloni një sistem të përshtatshëm filtrimi, nëse ajri i jashtëm është i ndotur.

Burimi: Agjencia Telegrafike Shqiptare